Ziso KAMBERAJ 1965 2021
Ndahet nga jeta papritur dhe ne moshe te re piktori gumeniciot me fame brenda dhe jashte Shqiperise.

Nga Bujar Leskaj per Zison
Jam jashtëzakonisht i trishtuar dhe i prekur nga ndarja para kohe nga jeta e piktorit të shquar, shokut dhe mikut tim të veçantë, Ziso Kamberaj.
Humbjet janë gjithmonë të trishta, por ato shumëfishohen kur padrejtësisht nga kjo botë largohen miqtë, artistët.
Ikja e tij e parakohshme nga Covid- 19 në moshën 56- vjeçare, në kulmin e krijimtarisë dhe pjekurisë së tij artistike, ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm për familjen e të afërmit, miqtë e shokët e tij të shumtë, botën e artit, e cila sot është më e varfër se kurrë.
Ziso kishte që në muajin shtator që ishte prekur nga virusi dhe po kurohej në Gjermani.
Kishte vite që Ziso e ndante jetën e tij jo vetëm artistike në trekëndëshin Tiranë- Gjermani- Vlorë.
Ziso Kamberaj u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në vitin 1992, në degën e Pikturës Monumentale.
Sikundër do të shkruante për të, në një nga ekspozitat e tij të para në 9.10. 1992, pionieri galerist i parë në Shqipëri dhe kritiku i artit, Tefik Caushi: “Pikturat e tij nuk paraqesin pjesën e jashtme të jetës, por filozofinë e saj. Peneli i tij është si një shigjetë që depërton thellësitë.
Ai nuk ndjek shtigje të njohura, sepse ai preferon të jetë eksplorues i së vërtetës. Ai pati kurajon (guxoi) të jetë vetvetja, të ketë konceptimin dhe stilin e tij. Piktura e tij duhet të vlerësohet për thellësinë dhe kompozicionin, për ngjyrën dhe për formën, por më së shumti intimitetin e fakteve, të cilat ai shpalos, si një qëndisje mbi telajo. Në pikturat e këtij artisti të ri ne mund të gjejmë shumë tinguj, zëra dhe simbole sa të individit, aq edhe të shoqërisë. Nëse artisti ynë do të jetë një maratonomak, ai patjetër do të krijojë botën e tij, sipas mënyrës së tij unike.”
Me dhjetëra piktura të tij janë shitur në Perëndim dhe janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve më të njohur.
Megjithëse i lindur në Tiranë, Ziso dashuronte si i marrë Vlorën, Labërinë dhe Gumenicën, vendlindjen e prindërve të tij fisnikë…
Tek Ziso ngërthehej në një qytetari tiranas me nacionalistin vlonjat, demokrati me njeriun rebel, artisti i madh dhe qytetari i thjeshtë.
Ziso ishte njeriu, intelektuali disident me çdo pushtet.
Ziso ishte dashamirësi dhe mbështetësi moral i imi në politikë.
Ora ime ka ngelur në atë takimin tonë në fund të gushtit kur diskutonim për projektet që kishim për të realizuar për Vlorën tonë; krijimin e Galerisë së Arteve në Vlorë, vendosjen e një skulpture monumentale të skulptorit Agim Rada “Koka labe” në Llogara, muzeun e Labërisë në Gumenicë apo Drashovicë të Vlorës dhe albumin e pikturës vlonjate në koleksionin tim.
Fatkeqësisht edhe projekti i vendosjes së përmendores së Ismail Qemalit në Shkup na ngeli në mes.
Ziso kërkonte skulptorin Agim Rada, ndërsa unë një punë të Muntaz Dhramit ose të Luan Mulliqit, (të tre skulptorë të shquar sot në Shqipëri).
Ziso Kamberaj la pas një pasuri të jashtëzakonshme me veprat e tij artistike.
Familjarëve do t’u mungojë njeriu i dashur, shokëve e miqve do t’u mungojë miku i shtrenjtë, artit shqiptar do t’i mungojë piktori, artisti që me artin e tij mbushte boshllëkun dhe ditët pa ngjyra.
Mua do të më mungojë miku, artisti, pikturat e të cilit adhuroja dhe zbukurojnë zyrën e shtëpinë time! Zisos dhe piktorëve vlonjatë unë u dedikoj vlerat e koleksionit tim modest to pikturave nga viti 1990 e deri më sot.
Sot ne të gjithë shokët dhe miqtë e tij ngushëllojmë njëri- tjetrin të bindur që emri i tij i mirë do ngelet përgjithmonë dhe mbi të gjitha vepra e tij në pikturë do konkurojnë gjithmonë denjësisht dhe do të vlerësohet në pikturën shqiptrare e më gjerë.
Qofsh i paharruar, shoku, miku, vëllai im!
Pikturat e tua do të zbukurojnë Parajsën!
Prof. Dr. Resmi Kamberaj, behet antar i Akademise Europiane te Shkencave dhe te Artit, Salzburg, Austri.
